Nafta rritet për 1 cent në Kosovë, në botë bie për 15 për qind

Çmimi i naftës në Kosovë është rritur për 1 cent nga dita e djeshme duke arritur në 1.89 euro për litër, ndërsa benzina ka mbetur 1.46 euro. Kjo ndodhi pavarësisht se në tregjet ndërkombëtare nafta ka rënë për 15 për qind, pas zhvillimeve mes SHBA-së dhe Iranit. Ekspertët kërkojnë reflektim, ndërsa qytetarët fajësojnë Qeverinë për mosreagim

Çmimi i naftës figuron për 1 cent më shtrenjtë se ai i një dite më parë.

Të mërkurën, Ministria e Tregtisë vendosi shifrën maksimale prej 1.89 euro për litër për shitjen e naftës, derisa ai i benzinës qëndroi i njëjtë me një ditë përpara, 1.46 euro.

Por, një realitet krejtësisht tjetër po zhvillohet jashtë vendit.

Në tregjet ndërkombëtare, nafta ka pësuar rënie me afro 15 për qind, pas një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila ndër të tjera hapi rrugën strategjike atë të Ngushticës së Hormuzit për dy javët e ardhshme.

Ky zhvillim pritej të sjellë reflektim edhe në Kosovë, ndonëse sipas ministres së Tregtisë, duhet kohë.

“Duhet më shumë se sa një ditë që të përcaktohet saktë se a kemi kaluar në një situatë normale apo ende ka hapësirë për destabilitet..Ne kemi e vlerësuar dy herë në ditë marrim informata mbi çmimin e importit të naftës dhe derivateve të saj, prandaj e kemi mekanizmin e marzhës që nuk do të lejoj të shkohet mbi normën e përcaktuar të çmimit të naftës dhe derivateve”, ka dekalruar Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë.

Por, sipas ekonomistit Uran Radoniqi, bizneset në Kosovë duhet të reagojnë po aq shpejtë në uljen e çmimeve, sa reagojnë kur ato rriten.

“Bizneset në fakt punojnë për profitin e tyre, po duhet të jenë mekanizmat kontrollues që I përcaktojnë dhe janë vazhdimisht në terren, që a po funksion si duhet vënia e çmimeve. Unë mendoj që brenda 3-4 ditëve duhet me pas një stabilizim të çmimit”, ka deklaruar Radoniqi.

Të bezdisur me situatën aktuale me derivate e rritje çmimesh janë qytetarët.

Ata fajësojnë Qeverinë e shtetit, që sipas tyre nuk po interesohet për popullin.

“Duhet por, këto sene i kanë në Qeveri ata, se tek ne nuk varet asgjë. Ata nalt i bëjnë matematikat e veta, edhe për popull nuk i intereson askujt, nuk e di si ja kanë qit rrethin…”, ka theksuar Nusret Bllacaku, qytetar.

“Faktikisht, thu ti Kosova është tu e sulmu Iranin. Është e papranueshme. Qeveria duhet me ulë akcizën, TVSH-në, sikur shtetet e tjera, sadopak me ia ndihmu qytetarëve”, ka thënë një tjetër qytetar.

Ulja e çmimit të derivateve në Kosovë nuk pritet të ndodhë shpejtë, as sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve në vend, Fadil Berjanit.

Ai në një përgjigje me shkrim thotë se ‘ulja mund të jetë reagim afatshkurtër’ dhe çmimet mund të bien gradualisht.

“Armëpushimi i fundit në mes të SHBA-ve dhe Iranit, dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit kanë sjellë pak qetësi në tregjet e naftës. Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjatë do të sillte stabilizim të vërtetë për tregjet e naftës, edhe në Kosovë”, ka deklaruar Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.

Për herë të parë që nga fundi i shkurtit kur nis lufta në Lindjen e Mesme, nafta ra nën 100 dollarë për fuçi.

Të fundit nga rubrika