Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke theksuar se “u konfirmua që dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ishte në kundërshtim me Kushtetutën”.
Nagavci ka theksuar se veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi dhe pa inate personale, duke shtuar se ky vendim duhet të shërbejë si moment reflektimi për të gjithë të zgjedhurit e popullit.
“Ky moment duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh.
Gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit