Ndahen mbi 1 milion euro për profesionistët shëndetësorë të angazhuar gjatë pandemisë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për tre muaj për pagesën e obligimeve kontraktuale për 1.271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, të cilët ishin angazhuar në menaxhimin e situatës me COVID-19

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve për tre muaj lidhur me pagesën e obligimeve kontraktuale për një mijë e 271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, të cilët kanë qenë të angazhuar gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Përmes një komunikate për media, qeveria në mbledhjen e 80-të, të saj ka njoftuar se është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për alokimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore në vlerë prej një milion e 768 mijë e 300 qind euro.

“Është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për alokimin dhe shpenzimin e mjeteve buxhetore deri në vlerën një milion e 768 mijë e 300qind e 93 cent, për pagesën e obligimeve kontraktuale të krijuara me lidhjen e kontratave me një mijë e 271 profesionistë shëndetësorë dhe staf mbështetës, lidhur me menaxhimin e situatës me COVID-19”, thuhet në njoftim.

Mjetet janë ndarë për periudhën 15 mars deri më 15 qershor të vitit 2022.

Mospagesa e këtyre kategorive ditë më parë është paraqitur si shqetësim nga Oda e Infermierëve dhe Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Ndryshe, stafi mbështetës i infermierëve të cilët ishin të angazhuar në kohën e pandemisë COVID-19, më 25 maj kishte mbajtur një protestë para objektit të MSH-së, për të shprehur pakënaqësitë e tyre për mosekzekutimin e pagesave.

Pamje nga protesta

“Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim arsyeja”, “Në vend të motivimit është zhgënjimi”, “Heronjtë e pandemisë të harruar nga Qeveria e Kosovës”, “Rrezikova veten dhe familjen time për të të shpëtuar familjen tënde dhe si u shpërbleva?”,“Në vend të vlerësimit është injorimi”, ishin disa nga pankartat e tyre që mbanin në duar.

Në kohën kur Kosova përballej me një fluks të lartë të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e virusit Covid-19, Ministria e Shëndetësisë (MSH) kishte marrë vendim që t’i rekrutojë si staf mbështetës rreth 840 infermierë, me qëllim që “lufta” ndaj këtij virusi të ishte më e lehtë.

Thirrjes për aplikim iu përgjigjën menjëherë mijëra infermierë nga i gjithë vendi, të cilët siç edhe thuhej nga vetë zyrtarët e MSH-së, filluan të punonin në “vijën e parë të frontit”, në qendra të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës.

Pamje nga protesta

Tash kur rastet e vdekjes dhe infektimeve kanë rënë, kjo kategori nuk po vlerësohet si duhet. Stafi mbështetës i infermierëve, që kanë ende kontrata të vlefshme, të cilat u skadojnë më 15 e qershor të këtij viti, tashmë ka gati tre muaj që nuk po marrin pagë, edhe pse një gjë e tillë u takon nga kontratat e tyre valide.

Pos kësaj, edhe pse konsiderohen punëtorë të një institucioni publik, ata nuk e kanë marrë as shtesën e 100 eurove që është paraparë të ndahet nga Qeveria e Kosovës, për të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe publik.

Protesta e “heronjve të pandemisë”, paralajmërojnë largimin nga Kosova

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika