Shkencëtari i njohur amerikan dhe fituesi i Çmimit Nobel, James Watson, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare. Watson konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të shkencës moderne, për shkak të bashkëzbulimit të strukturës së spirales së dyfishtë të ADN-së në vitin 1953 – një zbulim që revolucionarizoi biologjinë dhe mjekësinë bashkëkohore.
Së bashku me Francis Crick dhe Maurice Wilkins, ai ndihmoi në zbardhjen e mënyrës se si ADN-ja ruan dhe përcjell informacionin gjenetik. Për këtë arritje madhore, treshja u nderua me Çmimin Nobel për Mjekësi në vitin 1962, duke hyrë në historinë e shkencës si autorë të një prej zbulimeve më të rëndësishme të shekullit XX.
Megjithatë, në vitet e fundit të jetës, Watson u bë figurë e debatueshme për shkak të deklaratave të tij mbi racën dhe inteligjencën, të cilat sollën edhe heqjen e titujve të tij nderues nga Laboratori Cold Spring Harbor në vitin 2019 – institucioni ku ai kishte punuar për shumë vite.
Në vitin 2014, Watson e shiti medaljen e tij të Çmimit Nobel për 4.8 milionë dollarë në një ankand. Ai mbetet një prej shkencëtarëve më të njohur dhe njëherësh më kontroversë në historinë e biologjisë moderne.