Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Kurti po ashtu bën të ditur se dërgesa humanitare në vlerë prej 500 mijë eurove, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje, njofton Dukagjini.
Ai ka thënë se edhe pse vendimi për ndihmën ishte marrë në janar, realizimi u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes të arritur nën udhëheqjen e presidentit amerikan.
“Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë”, ka shkruar Kurti.
Mes tjerash, Kurti ka falënderuar Turqinë për bashkëpunimin që kjo ndihmë të arrijë nga Kosova në Gaza.
“Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar”, ka shkruar Kurti.