“Ndoshta në prill-maj”: Gjenerali polak paralajmëron se Rusia mund të bëjë së shpejti një provokim kundër një vendi të NATO-s

Një gjeneral polak në pension ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë një provokim ndaj një vendi të NATO në Evropën Lindore gjatë muajve të ardhshëm, me qëllim që të largojë vëmendjen e Perëndimit nga një ofensivë e re ushtarake në Ukraina.

Në një intervistë për agjencinë ukrainase Ukrinform, gjenerali polak në pension Jarosław Kraszewski tha se ekziston një probabilitet i lartë që një skenar i tillë të ndodhë në të ardhmen e afërt.

“Unë vlerësoj probabilitetin që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt në afërsisht 75-80 përqind. Mund të jetë në kryqëzimin e Polonisë, Lituanisë dhe Bjellorusisë, ose në Detin Baltik. Ky provokim do të synojë largimin e vëmendjes së Perëndimit nga një ofensivë e re e madhe ruse në Ukrainë”, ka thënë ai. Me fjalë të tjera, ka shtuar gjenerali polak, “është një provokim që do të lidhë forcat dhe burimet evropiane dhe do të largojë vëmendjen nga Ukraina”.

“Rusët mund të kryejnë një provokim kundër njërit prej vendeve të NATO-s pak para fillimit të ofensivës në Ukrainë, ndoshta në prill-maj”, citohet të ketë thënë gjenerali polak në pension.

Ai përmendi gjithashtu mundësinë e një sulmi ndaj sektorit të energjisë, dëmtim të rezervuarëve kimikë që mund të shkaktojnë katastrofë mjedisore, apo incidente të tjera të orkestruara për të krijuar tensione të reja në rajon.

“FSB-ja nuk interesohet për qytetarët e vet, kështu që mund t’i sakrifikojë ata për të treguar se, për shembull, polakët shpërthyen diçka së bashku me ukrainasit ose prenë disa kabllo. Dhe pastaj do të thonë se do të bëjnë edhe diçka si kundërpërgjigje, për shembull, në Suwalki [Polonia verilindore]. Mund të jetë çdo gjë, për shembull, një katastrofë mjedisore – dëmtim i një rezervuari kimik ose një sulm ndaj sektorit të energjisë. Ata do të duan që të ketë viktima njerëzore”, theksoi gjenerali polak në pension.

Të fundit nga rubrika