Ndryshimi që erdhi nga protestat e studentëve këmishëbardhë të UP-së

Në shënimin e 25-vjetorit të protestës së studentëve më 1997, Portali Dukagjini sjell një rrëfim nga vetë drejtuesit e saj. Nga lagjja "Velania", në ballinën e mediumeve botërore, protestat e studentëve shënojnë një pikë të rëndësishme në rezistencën ndaj regjimit serb

(Nga e majta) Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli, (në mes) rektori i atërshëm i UP-së dhe profesori, Ejup Statovci, Driton Lajçi dhe Albin Kurti (në të djathtë)

“Liria mund të të mos bëjë të lumtur, por të bën njeri”.

Këtë thënie e kujton Driton Lajçi, Nënkryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitet 1997/1999, gjersa tregon eksperiencën e tij në protestat e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 1 tetor të vitit 1997.

Rinia e një vendi, jo vetëm që përfaqëson të ardhmen e tij, por njëherit, edhe motorët e ndryshimit dhe vetë reformat e reja në vend. Jo më ndryshe ishte edhe në vjeshtën e vitit 1997. E mërkurja e 1 tetorit të atij viti shënon ditën kur rrugët e Prishtinës u mbushën me studentë, nxënës dhe qytetarë që kërkonin kthimin në objektet universitare të Kosovës, objekte këto të cilat mbaheshin nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqi, ish-presidentit serb.

Celula e parë e një ideje të tillë erdhi nga vetë Lajçi, Bujar Dugolli dhe Muhamet Mavraj, ndonëse Lajçi thotë se angazhimi i kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti, kishte rëndësinë e vet. Sado bujë që bëri në Kosovë, në rajon dhe jo vetëm, Lajçi tregon se organizimi i protestës studentore nuk ishte një ide e lehtë dhe natyrisht, jo një pa pengesa.

Driton Lajçi

“Kishim pengesa dhe kërcënime të shumta, kurthe, shantazhe, presione, propagandë pa fund, së cilës kurrë s’ia varëm veshin. Ide dhe përkrahje morale kishin të gjithë, por gatishmëri jo, pos Unionit. Frika ishte bërë pjesë e konstruktit mendor dhe filozofisë politike”, ka thënë Lajçi gjersa ka theksuar se “Në anën tjetër, Milosheviqi thoshte se shqiptarët e Kosovës e kanë pranuar sistemin e Serbisë. Natyrisht, ishte jashtëzakonisht vështirë t’i bindje njerëzit se nuk ka zgjidhje tjetër pos formave aktive të rezistencës”.

Të njëjtën e thotë edhe një ndër kryesuesit e tjerë, Bujar Dugolli. Sipas tij, protesta ishte një shenjë kundërshtimi ndaj regjimit serb që mbante të okupuar, jo vetëm hapësirën universitare, por të tërë Kosovën.

“Filloi nga studentët dhe u mbështet nga mbarë të tjerë”, ka deklaruar Dugolli për Portalin Dukagjini, gjersa theksoi se “vullneti i studentëve tregoi se ishte koha për ndryshimin dhe se ndryshimi po niste nga Universiteti i Prishtinës”.

Por cilat ishin kërkesat e studentëve që morën zë përmes protestës?

Sipas protagonistëve, kërkesat e protestuesve studentë bazoheshin në shkollim dhe specifikisht, në lirimin e hapësirave dhe objekteve universitare të 14 fakulteteve të UP-së.

“Jemi kujdesur që kërkesat të jenë në harmoni me konventat ndërkombëtare për Arsimin e Lartë dhe ato shtoheshin meqenëse ndryshonim situatën. Protestat e organizuar me datat 1 e 29  tetor dhe 30 dhjetor 1997, pastaj 2, 9, 13, 18 mars 1998 dhe 30 prill 1998 i kishim për shkollim, dinjitet, lirim të hapësirave edhe objekteve Universitare të 14 fakulteteve dhe shtatë shkollat e larta të UP-së”, ka thënë Lajçi gjersa ka theksuar se të drejtat ishin në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Ndonëse synimet i kishin të qarta, Dugolli ka thënë se protesta kishte tejkaluar tërësisht pritshmëritë e tyre, duke vendosur Kosovën në vëmendjen ndërkombëtare.

“Ndikimi i protestës i ka kaluar pritshmëritë tona ngase ne pritëm vështirësi dhe persekutime që ndodhin atë ditë nga policia serbe. Ne çdo herë merrnim shembull se si kishin përfunduar organizatorët e demonstratave në 68-tën dhe 81-shin, atë prisnim që do të na ndodhte edhe neve, por fatmirësisht, zhvillimet kishin ecur më tutje dhe interesimi i faktorëve ndërkombëtarë ishte shumë më i madh në Kosovë dhe ndikoi që ne të mos mbaheshim të burgosur gjatë, falë ndikimit të tyre, ne u liruam nga arresti”, ka treguar Dugolli.

Ndonëse ishin protesta paqësore, studentët u përballën me brutalitetin e policisë së atëhershme serbe.

Si momentin më të vështirë, Dugolli kujton përballjen me policinë serbe dhe dhunën e ushtruar ndaj tij dhe të tjerëve. Mirëpo, ai ka thënë se e njëjta rriti dëshirën për të luftuar më tepër regjimin serb në kuadër të interesave të Kosovës dhe kërkesave të studentëve.

Bujar Dugolli

Megjithatë, pavarësisht përndjekjeve nga regjimi serb, një fjali merr vëmendjen te përgjigjet e Lajçit për Portalin Dukagjini.

“Për mua këmisha e bardhë e 1 Tetorit 1997 është vetë jeta, sepse ishte kjo nisma e ortekut të madh kundër Serbisë që u hapi shteg veprimeve të tjera deri në qershorin e lirisë së vitit 1999”.

Nga një organizatë joqeveritare, nga 1 tetori i atij viti, Unioni i Pavarur i Studentëve të Kosovës u shndërrua në një prej faktorëve më të rëndësishëm në politikën e brendshme dhe atë të jashtme të vendit.

Si rrjedhojë e saj, Dugolli ka kujtuar ftesën që i ishte bërë atij dhe Albin Kurtit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si përfaqësues të studentëve të UP-së.

“Pjesëmarrja jonë në fund të nëntorit dhe gjatë dhjetorit në SHBA krahas z. Albin Kurti, tregon që një strukturë e re politike kishte tejkaluar kufijtë e Kosovës dhe po bëhej faktor që po shtynte përpara agjendën e Kosovës për liri dhe pavarësi”, ka treguar Dugolli, gjersa ka theksuar se kishin realizuar edhe takime të tjera, si me Parlamentin Evropian dhe ministra të ndryshëm të vendeve Perëndimore.

Krahas kësaj, Dugolli thotë se ngjarje të tilla nënkuptonin që lëvizja e studentëve u ndërtua në një uragan të zhvillimeve politike në vitet 97-98.

Krahas drejtuesve të kësaj proteste, ishte edhe Ernest Luma. Luma e ka cilësuar sikurse protestën më madhështore të dekadës, momentin e thyerjes ndaj frikës së regjimit të Beogradit.

“Dominimi i frikës që ishte futur në palcën e secilit qytetar në atë kohë nga aparati i Millosheviqit iu dha fund me protestën në lagjen Velania nga 20 mijë studentë. Ishte protesta më madhështore në Kosovë”, ka thënë Luma për Portalin Dukagjini.

Sikurse Dugolli edhe Luma ka thënë se ndonëse ekzistonte frika për gjakderdhje, persekutim dhe pasoja të tjera për pjesëmarrësit, protesta pati një efekt të jashtëzakonshëm, efekt ky i cili arriti të zinte vëmendjen e diplomacive dhe opinioneve ndërkombëtare.

Ernest Luma

“Policia intervenoi pa paralajmërim”, “Lotsjellës edhe nga helikopteri”, “ShBA-të dënojnë përdorimin e dhunës në Kosovë”, “Qeveria shqiptare dënon dhunën mbi shqiptarët”, “Ambasada Amerikane e brengosur për situatën e krijuar”, “Në gjithë qytetin intervenime pa shkas”, “Dhunë e shfrenuar kundër protestuesve shqiptarë”, “U trajtuan afër 60 të plagosur”, “Intervenime në Velani”, ishin vetëm disa nga titujt e mediave përgjatë 1 tetorit dhe ditëve në vazhdim, të cilët ishin shkruar edhe në mediumet si “Asossieted Press”, “Evropa e lirë”, “Zëri Amerikës”.

Ballina e njërës prej gazetave atë kohë

Protesta e drejtuar nga Bujar Dugolli, Hajrullah Koliqi, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Milot Cakaj, Fetah Jagxhiu, Albin Kurti, Ernest Luma, njëherit e përkrahur maksimalisht edhe nga rektori i atëhershëm i UP-së, Ejup Statovci shënoi fundin e politikës paqësore të popullit kosovar kundrejt regjimit serb.

Me rastin e fitores në zgjedhjet e vendit, Gazeta ndërkombëtare “Times” kishte njoftuar fitoren e Kurtit, duke e cilësuar atë sikurse fitoren e “ish-liderit të protestës studentore”.

“Ish-lideri i protestës studentore Albin Kurti, fiton zgjedhjet në Kosovë”, ishte titulli i plotë.

Tashmë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Në nder të shënimit të 25-vjetorit të organizimit të protestave të lartcekura, Parlamenti Studentor i UP-së ka organizuar një marsh studentor në rikujtim të kësaj ngjarjeje në Kosovë, marsh i cili pritet të fillojë nga ora 10:00.

Albë Lala, nënkryetare e Parlamentit Studentor, ka thënë se një ngjarje historike, siç është një tetori, duhet kujtuar.  Për këtë ngjarje, Lala ka thënë se duhet të shërbejë si motiv i vazhdueshëm i angazhimit tonë të përditshëm për t’i realizuar aspiratat tona studentore e kombëtare në shërbim të së mirës së përgjithshme.

“Duke ditur rëndësinë dhe peshën e një ngjarjeje historike që bartë në vete 1 tetorin i vitit 1997, ne vendosëm ta rikrijojmë në mënyrë simbolike marshin e asaj date me një numër të konsiderueshëm studentësh, përafërsisht 100”, ka deklaruar Lala, gjersa ka theksuar se “neve na mbetet që sot e përgjithmonë, t’i kujtojmë prirësit e kësaj proteste, Prof. Ejup Statovcin dhe gjithë tjerët që ngritën zërin për studentët, thyen heshtjen dhe u bënë nismëtarë të lirisë tonë sot”.

Foto nga marshi studentor në nder të protestave të një tetorit më 1997
Foto nga marshi studentor në nder të protestave të një tetorit më 1997

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika