Në Ambasadën e Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhen serbe mbi pllakatin identifikues të objektit, me mesazhe si “Kosova është Serbi” dhe “Nuk ka dorëzim”, dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke theksuar se ka njoftuar menjëherë autoritetet gjermane, të cilat po hetojnë rastin për të identifikuar përgjegjësit.
“Menjëherë pas identifikimit të këtij akti, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, thuhet në njoftim.
MPJD-ja, dënon çdo akt vandalizmi dhe gjuhë urrejtjeje, duke theksuar se veprime të tilla bien ndesh me konventat ndërkombëtare dhe dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore.
