Nëna dhe fëmijët ishin në gjumë, detaje nga zjarri në shtëpinë ku humbi jetën një foshnje në Prizren

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka dhënë detaje shtesë nga ngjarja tragjike e kësaj të marte ku si pasojë e zjarrit në një shtëpi banimi ka humbur jetën një foshnje rreth 1-vjeç.

Kryeziu, në “Rreth e Rrotull” në Dukagjin, u shpreh se fillimisht banorët për rreth kanë vërejtur zjarrin dhe kanë intervenuar duke shpëtuar nënën dhe tre fëmijët.

“Banorët për rreth kanë parë se po digjet një shtëpi banimi dhe kanë ndërhyrë nëpërmjet një dritareje dhe kanë arritur që të shpëtojnë nënën dhe tre fëmijët e tjerë teksa një foshnje rreth 1-vjeç fatkeqësisht ka humbur jetën. Zjarri është lokalizuar dhe hetimet janë duke vazhduar”, u shpreh Kryeziu.

Kryeziu, mes tjerash, bëri të ditur se tre fëmijët e shpëtuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetë.

“Dyshimet janë se fëmijët dhe nëna ishin në gjumë kur ka nisur zjarri, fëmijët janë duke u trajtuar në spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe jashtë rrezikut për jetën”, u shpreh Kryeziu.

Të fundit nga rubrika