Nënshkruhet marrëveshja 25 milionë euro për KOSTT-in

Në vlerë 25.5 milionë euro është nënshkruar marrëveshja e nënhuazimit në mes të KOSTT-it dhe Ministrisë së Financave për projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – Përmirësimi i rrjetit të transmetimit”

Në vlerë 25.5 milionë euro është nënshkruar marrëveshja e nënhuazimit në mes të KOSTT-it dhe Ministrisë së Financave për projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – Përmirësimi i rrjetit të transmetimit”. Ky projekt parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, derisa ka treguar qëllimin e projektit tha se e rëndësishmja e kësaj marrëveshjeje është se do të vazhdojë të ulet niveli i humbjeve, ani pse, sipas tij, humbjet janë të vogla.

“Për shkak të procedurave, por edhe për shkak disa vonesave në Kuvend deri me ratifikimin e asaj marrëveshje kishim të pamundur të vinim tek ky nënshkrim…Sot po e nënshkruajmë marrëveshjen e nënhuazimit të KOSTT, në vlerë prej 25.5 milion euro, pra janë mjete që do të investohen në rrjetin e transmisionit për përmirësimin e tij. Konkretisht, me anë të këtij projekti do të bëhet rehabilitimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të transmisionit, si dhe do të investohet edhe në shërbimet e konsulencës dhe inxhinierisë përkatëse. Projekti parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit dhe më e rëndësishme është që vazhdon të ulet edhe niveli i humbjeve, që megjithatë janë të vogla aktualisht, por rritet efiçienca e rrjetit të transmisionit dhe kësisoj përmirësohet edhe performanca e ndërmarrjes publike”, tha Murati.

Ai, po ashtu, tha se zhvillimi i sektorit të energjisë është prioritet kyç për qeverinë.

Ndërsa, Matthias Conrad, zëvendësambasador i Gjermanisë në Kosovë, është shprehur i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshjeje. Ai tha se përmirësimi i klimës në sektorin e energjisë është një fushë prioritare e bashkëpunimit të Gjermanisë me Kosovën.

“Përmirësimi i klimës është një fushë prioritare e bashkëpunimit të Gjermanisë me Kosovën. Qeveria Gjermane është e zotuar për këto ndryshime, që kanë arritur vlerën 222 milionë euro… Ky projekt do të kontribuojë në rritjen e përqindjes së energjisë në Kosovë dhe investimet e tilla në rrjetin e transmisionit të Kosovës janë kruciale për integrimin e Kosovës në tregun e rrymës të rajonit evropian. Me këtë marrëveshje përfshihen investime prioritare, siç është përmirësimi i sistemit të telekomunikimit, ndërtimit në stacionet tjera në Dragash, dy në stacionin në Ferizaj, ndërtimi i 110 kW dhe linja me kufirin me Shqipëri si dhe instalimin e transformatorëve të energjisë në disa stacione në Kosovë. Ky projekt do të kontribuojë në uljen e nivelit të energjisë, efikasitetin dhe përmirësimin e furnizimit me rrymë dhe integrimin e tregut kosovarët e energjisë në tregun evropian të energjisë”, tha Conard.

Ndërkaq, Evetar Zeqiri, kyeshef ekzekutiv i KOSTT-it ka treguar se ku do të fokusohet ky projekt.

“Projekti fokusohet në katër komponentë kryesore, pra, ndërtimin e nënstacioneve të reja në zonën e Deçanit, ku do të mundësojë integrimin e një kapaciteti të rëndësishëm të burimeve të ripërtëritshme, të cilat kanë potencial në atë pjesë, zëvendësimin e transformatorëve ekzistues me transformator të ri, që do të përmirësojnë ngarkesën, ndërrimi i linjave dhe, më e rëndësishmja, pakoja digjitale që ne i referohemi që ka kuptimin që do të bëjë zëvendësimin e aspektit digjital, që do të mundësojë një fuqizim më të mirë të ndërmarrjes sa i përket sigurisë kibernetike, e cila është bërë një temë tejet e rëndësishme”, tha ai./KP

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika