Nesër nis dëshminë ish komandanti i NATO-s Wesley Clark

Nesër nis dëshmia e ish komandantit të NATO-s Wesley Clark në procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së. Kjo dëshmi po vlerësohet si ndër më të rëndësishme që nga fillimi i procesit gjyqësor

Qindra persona e personalitete të ndryshme nga Kosova e ndërkombëtar, nga prilli i 2023 u ulën në karrigen e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, në Hagë.

Por dëshmia vendimtare, në këtë proces pritet që të nisë nesër ne mesditë.

Sipas Dhomave të Specializuara për Kosovës ai është dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, dëshmia e së cilit pritet të zgjasë disa ditë.

E pas dëshmisë së tij, të mërkurën është planfikuar të mbahet edhe një konferencë mbi ecurinë e çështjet, për tu njoftuar për hapat tutje mbi këtë proces gjyqësor.

Në Kosovë dëshmia e gjeneralit amerikan që udhëhoqi forcat e NATO-s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, po konsiderohet si ndër më bindëset për të rrëzuar pretendimet e ZPS-së.

“Do të jetë e rëndësishme për procesin bazuar në faktin që ka ushtruar një pozicion tepër me rëndësi, bazuar në besimin dhe kredibilitetin që ka një person si ai dhe për më tepër besoj që dëshmia e tij do jetë edhe më bindëse në funksion të kundër argumentimit të suksesshëm të palës mbrojtëse”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.

Sipas Bajraktarit, i njëjti do të vë në pah mungesat që kishte UÇK-ja

“Në raport me mungesën e zingjirit komandues, mungesës së strukturës dhe hirarkisë së mirëfilltë komanduese të UÇK-së, dhe pamundësisë së ushtrimit të kontrollit efektiv në territorin e Kosovës, çka natyrisht se janë prej parimeve bazë që një organizatë siç është UÇK-ja të njihet struktura komanduese, për më tepër pres që i njëjti të paraqes vështirësitë që tashmë kemi parë edhe prej dëshmitarëve të tjerë në drejtim të komunikimit me UÇK-në, si rezultat i mungesës së një zinxhiri të mirëfilltë komandues”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.

Deri më tash në gjykatore kanë dhënë dëshmi gjashtë dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja e Thaçit. Ndërkohë që para tyre që nga viti 2023 kur nisi procesi gjyqësor, ndaj ish krerëve të UÇK-së, janë dëgjuar dëshmitarët e prokurorisë dhe të zyrës së viktimave.

Hashim Thaçi,  Kadri Veseli, Jakup Kraniqi e Rexhep Selimi janë duke u akuzuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Të fundit nga rubrika