Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se çdo komision hetimor për dështimet që çuan në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 duhet të analizojë ngjarje dhe vendime politike që shtrihen për dekada, duke përfshirë Marrëveshjet e Oslos të vitit 1993, tërheqjen nga Gaza në vitin 2005 dhe protestat kundër reformës gjyqësore në vitin 2023.
Deklaratat e Netanyahut u bënë pasi një komitet kyç ministror i dha mbështetje një projektligji kontrovers, i cili parashikon krijimin e një komisioni të ri hetimor, anëtarët e të cilit do të zgjidhen nga Kuvendi (Knesseti), e jo nga kryetari i Gjykatës Supreme, siç parashikon ligji aktual për komisionet shtetërore të hetimit.
Projektligji, i iniciuar nga deputeti i Likudit, Ariel Kallner, pritet të hidhet për lexim paraprak në seancën plenare të Knessetit këtë të mërkurë.
Sipas burimeve qeveritare, Netanyahu ka theksuar se hetimi duhet të përfshijë edhe refuzimin e shërbimit rezervist nga disa kundërshtarë të qeverisë gjatë protestave kundër reformës në drejtësi, shkruan Times of Israel.
Kryeministri ka argumentuar se ngjarjet e 7 tetorit kërkojnë një “komision të posaçëm”, duke e krahasuar me komisionin amerikan të krijuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Sipas tij, një komision i tillë do të kishte legjitimitet më të gjerë publik sesa një komision i formuar vetëm nga qeveria apo nga sistemi gjyqësor.
Megjithatë, opozita izraelite ka reaguar, duke e akuzuar qeverinë se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike për dështimet e sigurisë.
Udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid, e cilësoi iniciativën si një përpjekje për “varrosjen e së vërtetës”, ndërsa kryetari i Demokratëve, Yair Golan, e quajti komisionin e propozuar “një pranim të fajësisë”.
Edhe brenda koalicionit qeverisës ka pasur kundërshtime. Ministri Ze’ev Elkin votoi kundër projektligjit, duke paralajmëruar se në rast të bojkotit nga opozita, komisioni do të emërohej tërësisht nga shumica qeverisëse, çka do ta komprometonte pavarësinë e tij.
Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e publikut izraelit mbështet krijimin e një komisioni shtetëror hetimor të pavarur, një opsion që Netanyahu deri tani e ka refuzuar.