Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se do të vendosë tarifa globale prej 15%, ndërsa ka vijuar kritikat ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë që rrëzoi taksat e mëparshme të importit të vendosura prej tij.
Trump tha të premten se do t’i zëvendësonte tarifat e shfuqizuara nga gjykata me një taksë prej 10% për të gjitha mallrat që hyjnë në SHBA.
Por të shtunën, në rrjetin social Truth Social, ai njoftoi se norma do të rritet në 15%, që është maksimumi i lejuar sipas një ligji tregtar që nuk është përdorur më parë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ky ligj lejon që tarifat e reja të qëndrojnë në fuqi për rreth pesë muaj, përpara se administrata të duhet të kërkojë miratimin e Kongresit.
Tarifat 10% pritej të hynin në fuqi të martën, më 24 shkurt. Nuk është ende e qartë nëse norma e rritur prej 15% do të zbatohet po nga ajo datë. BBC ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarime.
Norma e re prej 15% – një zgjidhje e përkohshme sipas Seksionit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974 – ngre pikëpyetje për vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, të cilat kishin arritur marrëveshje me SHBA-në për një tarifë 10%.
Trump tha se vendimi për rritjen e tarifës erdhi pas një shqyrtimi të vendimit të Gjykatës së Lartë, të cilin e quajti “qesharak, të shkruar dobët dhe jashtëzakonisht anti-amerikan”.
Me një vendim 6-3, gjyqtarët e gjykatës më të lartë në SHBA konstatuan se presidenti kishte tejkaluar kompetencat e tij kur vendosi tarifa të gjera globale vitin e kaluar, duke u bazuar në një ligj të vitit 1977 të njohur si Akti për Fuqitë Ekonomike në Rast Emergjence Ndërkombëtare (IEEPA).
Sipas të dhënave më të fundit qeveritare, SHBA-ja ka mbledhur të paktën 130 miliardë dollarë (96.4 miliardë paund) në tarifa duke përdorur IEEPA-n.
Menjëherë pas vendimit, Trump tha se ishte “i turpëruar nga disa anëtarë të gjykatës” dhe i quajti “budallenj” gjyqtarët që rrëzuan politikën e tij tregtare.
Trump e kundërshton vendimin e gjykatës dhe njofton tarifën e re globale prej 10%
