Në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, është mbajtur “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, ku u tha se që nga 2015-ta deri më 2025 janë mbi 31 mijë çifte që kanë regjistruar pronën në emër të të dy bashkëshortëve, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë u tha se një shtet që nuk mbron të drejtën e grave në pronë nuk mund të quhet shtet i së drejtës.
Ushtruesi i Detyrës së Ministrit në detyrë të Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu është zotuar se barazia në pronë nuk do të mbetet në letër, por do të jetë politikë publike e ndërtuar mbi ligj.
“Ky nuk është një debat i kufizuar në barazinë gjinore është debat për karakterin e shëtit tonë. Një shtet që nuk mbron të drejtën e grave në pronë nuk mund të quhet shtet i së drejtës. Një qeveri që nuk lufton pabarazinë ekonomike të grave nuk mund të pretendojë qëndrim të qëndrueshëm. Barazia në pronë nuk është kërkesë e ndonjë grupi por interes kombëtar sepse aty ku gratë kanë pronë, aty ka më shumë investime, arsimim dhe siguri. Prona në duart e grave nuk e dobëson familjen por e forcon atë, nuk e copëton shoqërinë por e bashkon atë mbi drejtësinë. Ne si institucione kemi përgjegjësinë e drejtpërdrejtë që çdo proces të jetë transparent dhe pa diskriminim. Të informojmë praktika administrative që shpesh i përjashtojnë gratë në heshtje dhe të ndërtojmë politika që inkurajojnë regjistrimin e përbashkët të pronave në emër të dy bashkëshortëve apo në mënyrë të pavarur në emër të grave. Ky është zotimi ynë: barazia në pronë nuk do të mbetet në letër. Do të jetë politikë publike, e ndërtuar mbi ligj, e mbështetur nga institucione, dhe e mbrojtur me vullnet politik”, tha Sallahu.
Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia ka thënë se pavarësia financiare u krijon grave hapësira për të jetuar të lira, të sigurta dhe mos t’u kthyer në vendin e dhunës.
“Nuk mund të flasim për shoqëri të barabartë pa siguruar që çdo vajzë dhe grua t’i zotërojë të trashëgojë dhe menaxhojë pronën dhe pasurinë e saj…pavarësia financiare u krijon grave hapësirë për të jetuar të lira, të sigurta me dinjitet dhe për mos u kthyer më në ciklin e dhunës ku e përjetojnë atë. Agjencia për Barazi gjinore e ka trajtuar përherë me prioritet çështjen e të drejtave pronësore dhe të trashëgimisë e posaçërisht kur jemi bë prag të përvjetorit 10 vjet nga vendosja e masës afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të bashkëshortëve. Në vitin 2016 kemi 105 prona në tërë Kosovën në emër të dy bashkëshortëve, viti 2025 na gjen me 31 mijë e 124 çifte që kanë regjistruar pronën në emër të dy bashkëshortëve dhe kjo është një hap historik sepse përveç gëzimit të të drejtave jemi duke ndërtuar një kulturë të re sjellje tek gjeneratat e reja ku pronat nuk është privilegj i njërit por e drejta e dy partnerëve të barabartë. Dhe e dinë të gjithë që veç garantimi i të drejtave pronësore dhe trashëgimore apo rritja e pronave në emër të të dy bashkëshortëve nuk mjafton për të arritur barazinë e vërtetë ekonomike shoqërore të grave dhe vajzave. Këto janë themelet mirëpo për të ndërtuar mbi këto themele duhen praktika dhe politika, investime dhe angazhim i vazhdueshëm”, tha Gusia.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se duhet ende punë për të bërë që shoqëria ta kuptojë se duhet të respektohet e drejta e grave për pronë.
“Të njëjta probleme dhe të njëjta shqetësime. Kjo përbënë dy aspekte dhe janë të rëndësishme e para situata ka ndryshuar, pro jo mjaftueshëm. Sepse nuk mund të thuhet se nuk ka progres. Nëse e krahasojmë Kosovën me etapa, progresi mund të konsiderohet revolucion në raport të gruas në shqoëri dhe vet tema për respektimin e të drejtave pronësore të grave. Megjithatë fakti që ne ehe pas 25 vitesh nga përfundimi i luftës ulemi dhe diskutojmë për probleme kaq bazike që lidhen me garantimin dhe respektimin e një të drejte fundamentale, thelbësore për të respektuar dinjitetin e njeriut, tregon se kemi shumë përpara dhe nuk mjafton veç diskutim…”, tha ai.
Në këtë panel, përveç diskutimeve të akterëve pjesëmarrës, fjalë rasti patën edhe Drejtori i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari dhe Drejtorja Ekzekutive e “Kosova – Women 4 Women”, Ilirjana Jaka Gashi./EO
