Një burrë në moshën 35-vjeçare, baba i dy fëmijëve, po vuan dënimin prej pesë vitesh për tentim grabitjeje. Ai ka rrëfyer historinë e tij në emisionin ‘Prapa grilave’ me Liridon Llozani.
Ai ndodhet në burg prej më shumë se tre vjetësh dhe e pranon hapur fajin e bërë, por thotë se barra më e rëndë nuk është dënimi ligjor, por ai moral e familjar. Për herë të parë në jetën e tij, ai kishte hyrë në botën e krimit, dhe për ironi, ishte vetë ai që e kishte ideuar dhe udhëhequr planin.
Tentativa për grabitje kishte ndodhur në vitin 2020.
Ai kishte ardhur për pushime nga jashtë vendit dhe brenda katër ditësh kishte marrë vendimin që do ta kthente jetën përmbys. Grabitja ishte e organizuar kundër një të njohuri, një të afërmi të tij, në shtëpinë e të cilit besonte se kishte para.
Ai e kishte bindur edhe një mik për ta shoqëruar, duke e futur në një histori që i kushtoi të dyve nga pesë vjet burg. Pavarësisht se nuk kishin armë zjarri, ata përdorën maska dhe një hekur, por u përballën me pronarin e shtëpisë dhe u përleshën me të.
Pikërisht për shkak të tatuazheve, autorësia e tij u zbulua dhe më vonë u identifikua nga Policia.
Pas ngjarjes, ai u arratis drejt Serbisë, ku qëndroi për tre vite e gjysmë. Në Serbi kishte gjetur një punë në fabrikë, kishte marrë një banesë dhe kishte ndërtuar një jetë larg familjes.
Por e kaluara nuk e linte të qetë. Ai nuk kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në varrimin e Nënës së tij, dhe kjo ishte pika e kthesës.
Gjashtë ditë pas funeralit, ai vendosi të kthehej vetë në Kosovë dhe të dorëzohej në kufi. Ishte një vendim i rëndë, por që ai e quan të nevojshëm për të filluar ndërtimin e jetës nga e para.
Për familjen, gabimi i tij ka pasur pasoja të thella.
Fëmijët e tij po rriten pa të; vajza e vogël mendon se ai është në punë, ndërsa djali, tashmë në moshë të kuptueshme, i shmanget çdo bisede për burgun.
Gruaja e tij, sipas rrëfimit, e mban barrën e dyfishtë si Nënë dhe Babë. Vetë ai thotë se vizitat e tyre janë dhimbje dhe brengë për shkak të shpenzimeve dhe ndjenjës së fajit që i shoqëron.
Pas kthimit, ai u përball edhe me refuzimin e Babait të tij, i cili nuk ia ka falur ende atë që e quan njollë të zezë mbi familjen. Marrëdhëniet me viktimën e grabitjes, një të afërm, nuk janë rikuperuar kurrë. Ai u ka kërkuar falje disa herë, por ata nuk e kanë pranuar.
Sot, në fund të dënimit të tij, ai është i pajisur me një diplomë në saldim dhe shpreson që pas daljes të largohet nga vendlindja, të punojë jashtë dhe të jetë më pranë familjes. Nuk kërkon as justifikim dhe as mëshirë. Kërkon vetëm ta mbyllë këtë kapitull dhe të nisë një jetë të re.
Ai ka një porosi për të rinjtë.
“Mos hyni në rrugë të këqija, se nuk përfundon kurrë mirë. Gabimi nuk e dëmton vetëm ty, por gjithë familjen. Mos u mashtro prej fitimeve të lehta – ato janë humbje që s’kompensohen kurrë”, ka thënë ai.