Sfidat dinë t’i bashkojnë njerëzit por edhe t’i bëjnë ata të ngritin zërin për miqtë e tyre.
I tillë ka qenë Mark Pjetraj nga Gjakova i cili humbi shikimin qysh në moshën 8-vjeçare.
Ndonëse fëmijërinë e kujton plot sfida për t’iu përshtatur shoqërisë, ai gjeti forcë, për t’u kthyer në inspirim për të tjerët.
“Gjatë kohës kur isha në shkollën për të verbër, jo njëherë po disa herë më ka shkuar mendja t’iki të familje ngase unë asnjë ditë të jetës sime nuk e kam kaluar pa familjen. Rastisi të sfidohesha por jeta është vet sfidë, falë motivit të familjes që ma kanë dhënë çdo herë duke më bindur se ishte zgjidhja e vetme, ky është fati yt. Arrita të ndjek studimet edhe në kolegjin AAB. Ishte vështirë, s’kisha literaturë në shkrimin Brajt. Pas një dekade që përfundova studimet tash jam edhe i punësuar”, ka theksuar Mark Pjetraj, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Gjakovë.
Kur vlerësoi se u ngrit mjaftueshëm profesionalisht, Pjetraj vendosi të udhëheq atë që gjersa rritej, e kishte bërë të ndihej i përshtatur, Shoqatën e të Verbërve në Gjakovë.
“Me mua në krye, nga viti 2021 asnjë nuk e paguan as edhe një cent të vetëm pagesë anëtarësie meqenëse e kam në mendjen time që personin e verbër mos ta shikojë për t’i marrë asnjë cent po t’i krijojë mundësi dhe t’i ndihmojë të jenë të barabartë. Ata janë të parët në Kosovë që janë shërbyer me pajisje akustike shëndetësore në Gjuhën Shqipe, shëndeti ka qenë për ne mision. Kemi arrit t’i pajisim me termotera akustik në gjuhën shqipe, oksimetra në gjuhën shqipe. Nuk di të ketë pajisje tjetër por po pati, do mundohemi me partnerët tanë t’ua sigurojmë. Është i pari qytet që ka pajisje akustike për persona të verbër në infrastrukturë”, ka dekaruar Mark Pjetraj – kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Gjakovë.
Përpos angazhimit në Shoqatë dhe punës në një kompani private që operon në Kosovë, Pjetraj ishte angazhuar vullnetarisht në dhjetëra aktivitetesh për personat e verbër.
Duke treguar qartë se mungesa e shikimit nuk i pengoi të përmbush dëshirat e tij, ai përcjell një mesazh tek shoqëria, si shtylla kryesore e integrimit të personat e verbër.
“Ju them prindërve të tyre që atë fëmijë ta trajtojnë si fëmijët e tjerë, të punojnë shumë, ta sjellin këtu, ta regjistrojnë në shkollë, ta mbështesin që të jetë o barabartë dhe rë ketë suksese në jetën e tij. Mesazhi im për të gjithë është që personat me nevoja të veçanta t’i konsiderojnë të barabartë në shoqëri. Nëse i konsideroni këtë formë, jo veç Marku po të gjithë do t’ia arrijnë. Jeta është sfidë, pate aftësi të kufizuara apo jo!”, ka deklaruar Mark Pjetraj – Kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Gjakovë.
Nga një fëmijë që u përballë me gjithë ato vështirësi, Mark Pjetraj është shembulli se sfidat dinë të sjellin edhe gjëra të mira, falë punës e qasjes pozitive ndaj po atyre sfidave e jetës.
