Nga një muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit e tjerë

Nga një muaj paraburgim ua ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë Naim Murselit, i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt dhe dy të dyshuarve të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Naim Murselit, i cili dyshohet se ka organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt dhe dy të dyshuarve të tjerë.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit N.M për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, G.P për veprën penale Vrasje e rëndë dhe vepën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet tutje në njoftim.

Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediat lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin si Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika