Ngritet aktakuzë ndaj Mogherinit për mashtrim dhe korrupsion

Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka njoftuar se ndaj ish-shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe dy të tjerëve është ngritur aktakuzë zyrtarisht për mashtrim në prokurime dhe korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Të tre individët u ndaluan të martën si pjesë e një hetimi të BE-së për mashtrim dhe tani janë liruar ndërsa hetimi është duke vazhduar, tha EPPO, duke shtuar se ata nuk konsideroheshin si rrezik arratisjeje, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

EPPO iu referua dy të dyshuarve të tjerë si një anëtar i lartë i stafit në Kolegjin e Evropës në Bruges dhe një zyrtar i lartë nga Komisioni Evropian. Tre burime i thanë Reuters se një nga të ndaluarit ishte diplomati i lartë i BE-së Stefano Sannino.

“Të gjithë personat konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet fajtorë nga gjykatat kompetente belge,” tha gjithashtu EPPO.

Arrestimet e tyre pasuan bastisjet në shërbimin diplomatik të BE-së në Bruksel, në Kolegjin e Evropës – një universitet elitar në Bruges që edukon shumë zyrtarë të BE-së – dhe në shtëpitë e të dyshuarve.

Mogherini ishte përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë dhe kreu i shërbimit diplomatik të saj nga viti 2014 deri në vitin 2019. Ajo u bë rektore e Kolegjit të Evropës në vitin 2020.

Sipas EPPO-së, hetimi ka të bëjë me “mashtrim të dyshuar në lidhje me trajnimin e financuar nga BE-ja për diplomatët e rinj”.

Mogherini dhe Sannino, të dy shtetas italianë, janë të njohur në qarqet diplomatike të Brukselit dhe lajmi për ndalimet e tyre shkaktoi tronditje në komunitetin e BE-së.

Të fundit nga rubrika