Qytetarët kanë filluar të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku sot në ora 17:00 do të mbahet protesta gjithëpopullore kundër Gjykatës Speciale.
Të pranishmit janë parë me bluza që mbajnë fotografinë e ish-presidentit Hashim Thaçi, ndërsa disa të tjerë kanë veshur uniforma simbolike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me qëllim kundërshtimin e Gjykatës Speciale dhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Organizatorët kanë theksuar se kjo protestë është një thirrje për drejtësi dhe për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare, që sipas tyre po përballen me një proces të padrejtë dhe politik.
Thirrjes për pjesëmarrje në protestë i janë bashkuar edhe figura politike dhe qytetarë nga komuna të ndryshme të vendit.
