Pamjet e filmuara derisa Policia e Kosovës po arrestonte ishin momentet e fundit të jetës së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.
Policia u thirr mbrëmë në Lipjan pasi dyshohet se i ndjeri kishte sulmuar disa persona të ndryshëm e disa vetura, por ka vdekur derisa po arrestohej nga Policia.
Sipas këtyre pamjeve, së paku tre policë në uniformë dhe një tjetër pa, shihen mbi trupin e tij, derisa ai vërehet që lëvizë këmbët e lëshon zë.
Policia për kallxo.com nuk sqaroi shumë sesi erdhi deri te vdekja ose kur e kuptuan zyrtarët policorë që i ndjeri ka humbur ndjenjat.
“Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë”, tha zëdhënësi Agron Borovci.
E stacioni policor në Lipjan tek sot në mëngjes e informoi IPK-në për rastin, që tashmë i ka nisur hetimet bashkë me Prokurorinë.
“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar sot në orët e hershme të mëngjesit nga Policia e Kosovës lidhur me një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan . Zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar në këtë incident pas pranimit të informacionit për një person të dyshuar në rrugën ‘Haradin Bajrami’ në Lipjan i cili më vonë ishte raportuar se ka vdekur. Njësitet relevante hetimore policore si dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse trupi i pajetë i personit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit do të vlerësoj dhe hetoj reagimin policor në këtë rast përderisa rasti do të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë incident”, thuhet nga IPK-ja.
Dyshimet për keqtrajtim gjatë rastit kanë edhe familjarët e Agon Zejnullahut.
“Po presim raportin e autopsisë, por në bazë të videove padyshim që hedhen dyshime në mënyrën e forcës”, i tha televizionit Dukagjini Alban Zejnullahu,vëllai i të ndjerit.
Kohëve të fundit, në disa raste ka pasur raportime për përdorim të forcës nga ana e Policisë, e i fundit rast ishte në Klinë ku zyrtarët policor e rrahën një qytetar po gjatë arrestimit.