Një burrë dhe një grua të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar ekstradohen në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në dy ditët e fundit janë realizuar dy ekstradime të veçanta nga Italia dhe Gjermania drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

Sipas njoftimi të Policisë, në koordinim me autoritetet italiane, është ekstraduar nga Italia shtetasi kosovar me inicialet M.Q i cili ishte arrestuar nga autoritetet italiane mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, njofton Dukagjini.

Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari u është dorëzuar njësive përkatëse për procedura të mëtejshme ligjore.

Ndërkaq, më 27 shkurt, është realizuar edhe ekstradimi nga Gjermania i shtetases shqiptare me inicialet V.L.

Ajo kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kosovare për veprën penale “Marrja apo mbajtja e kundërligjshme e fëmijës”.

Pas ekstradimit, e dyshuara është dorëzuar tek njësitet kompetente për vazhdimin e procedurave ligjore.

Policia bëri të ditur se të dy ekstradimet janë realizuar në përputhje me ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve përkatëse në Itali dhe Gjermani.

Të fundit nga rubrika