Energjia elektrike për qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në periudhën Janar – Nëntor 2025, ishte ndjeshëm më e lirë sesa për ata në pjesën tjetër të vendit.
Çmimi mesatar në këtë periudhë, sipas shifrave që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka përcjellë TV Dukagjinit, është rreth 8.43 centë për një kilovat/orë, përfshirë TVSH-në ose rreth 7.76 centë pa TVSH.
Kësisoj, mesatarja e një kilovati orë energji elektrike të faturuar nga Elektrosever rezulton rreth 97% më lirë sesa tarifa e lartë për konsumin mujor mbi 800 kilovat/orë në kuadër të Shërbimit Universal apo KESCO-s.
Ndërsa, afër 16% më lirë krahasuar me tarifën e lartë për konsumin mujor nën bllokun tetë-qindësh.
Përkundër kësaj, niveli i pagesës ose inkasimit në katër komunat me shumicë serbe në veri është vetëm 60.57%.
Për konsumin e përgjithshëm prej rreth 152.6 gigavatë/orë energji elektrike, vlera e përgjithshme e faturave është rreth 12.87 milionë euro.
Ndërsa totali vlerës së faturave të paguara nga konsumatorët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, është 7.8 milionë euro.
Përkundër kësaj, Elektrosever nuk ka aplikuar shkyçje në masë ose në përputhje me nivelin ulët të pagesës.
Në kompaninë bijë të ndërmarrjes publike elektroenergjetike të Serbisë, që u licencua në Kosovë në Qershor 2022, nuk u përgjigjën në pyetjet e TV Dukagjinit lidhur me këtë temë.
Për shkyçjet, përgjigje të qartë nuk dha as KEDS-i, kompani e cila ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Elektroseverin në Dhjetor 2023.
“Ju njoftojmë që për furnizimin dhe menaxhimin e energjisë elektrike në veri të Kosovës përgjegjëse është kompania Elektrosever, dhe jo KEDS. Për këtë arsye, për informata më të detajuara lidhur me situatën e furnizimit me energji elektrike në atë zonë, ju lutemi t’i drejtoheni drejtpërdrejt Elektroseverit si operator përgjegjës”.- KEDS
Niveli i pagesës në katër komunat me shumicë serbe në veri më 2024 ishte edhe më i ulët sesa këtë vit – rreth 20%
Numri i përgjithshëm i konsumatorëve në këtë pjesë të vendit në fund të Nëntorit 2025, ishte 24 mijë e 395 – prej tyre 21 678 amvisëri, 2 581 biznese, si dhe 136 institucione dhe ndriçim publik.
Faturimi dhe pagesa e energjisë elektrike në veri nisi tek më 2024, ndërsa dëmi si pasojë e mos-pagesës nga viti 1999 llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.
