Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit R.M., i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas aktvendimit, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi ekziston dyshimi i bazuar se R.M., në bashkëkryerje, ka marrë pjesë në krime të luftës më 31 mars 1999 në fshatin Burim të Malishevës, përfshirë edhe vrasjen e 34 civilëve shqiptarë, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se Gjykata ka theksuar se pesha e veprës është e rëndë dhe komplekse, ndërsa çdo masë tjetër përveç paraburgimit do të ishte e pamjaftueshme për sigurimin e zhvillimit të procedurës penale. Po ashtu, është konstatuar se i pandehuri, i cili ka shtetësinë dhe vendbanimin në Serbi, paraqet rrezik arratisjeje dhe mundësi për të ndikuar tek dëshmitarët.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Nga ana tjetër Prokurori special, Kastrioj Memaj e as avokati i të pandehurit, Arianit Koci, nuk janë deklaruan pas seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas hetimeve, Morina dyshohet se në periudhën 29–31 mars 1999, gjatë luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës.