Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji një të dyshuarit për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur.
Sipas Prokurorisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 1 prill, kur i pandehuri M. S. ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme ndaj vajzës së tij, pa pëlqimin e saj, duke përdorur përmbajtje dhe kërkesa të papranueshme.
Vajza e mitur e ka njoftuar prindin tjetër, ndërsa rasti është raportuar në polici.
Gjykata ka bërë të ditur se, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe mbrojtjes së privatësisë së viktimës së mitur, detajet janë të kufizuara.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit. Sipas vendimit, i dyshuari do të qëndrojë në paraburgim për një muaj, nga 7 prilli deri më 6 maj 2026.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Me këtë vendim, i pandehurit M. S., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 07 prill 2026 deri më 06 maj 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Gjakovë.