“Siguria në Republikën e Kosovës sot është në një nivel dukshëm më të lartë dhe më të qëndrueshëm se në çdo periudhë tjetër historike”, thotë me bindje ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.
Mehaj, në një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me armatim modern dhe të avancuar, duke përfshirë pajisje të avancuara nga shteti mik i Turqisë.
“Një arritje e rëndësishme strategjike ka qenë gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e pajisjeve të avancuara ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot ‘Bajraktar’, mjetet ajrore pa pilot të tipit ‘Puma’, si dhe pajisje të tjera moderne nga shteti mik i Turqisë, përfshirë sistemet kundërtanke të tipit ‘OMTAS’. Po ashtu, janë iniciuar dhe nënshkruar marrëveshje shtet me shtet, të cilat kanë hapur rrugën për shumë blerje të mëvonshme strategjike në fushën e mbrojtjes”, tha Mehaj për RTV Dukagjini.

Ish-ministri Mehaj shtoi se këto pajisje përfaqësojnë vetëm një pjesë të armatimit të gjeneratës së fundit që ka mbërritur në Kosovë, duke nënvizuar se procesi i përgatitjes dhe trajnimeve është po aq i rëndësishëm.
“Ka shumë armatim që as në ëndërr nuk e kemi parë. Është një fat i madh që i gjithë angazhimi ynë në këtë drejtim është i dokumentuar dhe i arkivuar, dhe me kalimin e kohës do të dalin në dritë dokumentet, marrëveshjet dhe kontratat që e konfirmojnë këtë zhvillim. Aktualisht, shumë pajisje ushtarake dhe logjistikë mbështetëse janë dorëzuar dhe vazhdojnë të arrijnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, i gjithë armatimi, sidomos ai i gjeneratës së fundit, kërkon trajnime të avancuara. Forca e Sigurisë së Kosovës është vazhdimisht në hap me këtë kërkesë, ku pjesëtarët e saj tregojnë përgjegjësi të lartë dhe motivim të jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrave profesionale.”
Mehaj theksoi se përmes këtyre blerjeve, FSK-ja ka rritur kapacitetet e saj operative dhe ka hapur mundësi për zhvillime të mëtejshme strategjike në fushën e mbrojtjes, duke e pozicionuar Kosovën si një partner serioz në rajon.
“Kosova është më e fortë ushtarakisht sesa perceptohet zakonisht në opinion. Për më tepër, vendi ka kapacitete të jashtëzakonshme ushtarake, të cilat janë vlerësuar edhe nga shtete të tjera të rajonit. Disa prej tyre, edhe pse pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut para nesh, kanë treguar interes dhe respekt për zhvillimin dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë Mehaj.