Norvegjia fajëson hakerët rusë për sabotimin e digës

Hakerët rusë morën përkohësisht kontrollin e një dige në Norvegji më herët këtë vit, tha të mërkurën shefja e agjencisë së kundërzbulimit të këtij vendi nordik. Kjo është hera e parë që Oslo ia atribuon zyrtarisht sulmin kibernetik fqinjit të saj.

Gjatë kohës sa kishin nën kontroll digën në Bremanger, në perëndim të Norvegjisë, më 7 prill, hakerët hapën një portë dhe lëshuan 500 litra ujë në sekondë për katër orë, para se sulmi të zbulohej dhe të ndalej, kishin thënë më herët autoritetet.

Gjatë këtij sulmi nuk kishte pasur të lënduar.

Norvegjia prodhon pjesën më të madhe të energjisë së saj elektrike përmes digave hidroelektrike dhe autoritetet e inteligjencës kanë paralajmëruar më herët për rrezikun e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

“Gjatë vitit të kaluar, kemi parë një ndryshim në aktivitetin e aktorëve kibernetikë prorusë”, tha në një fjalim Beate Gangaas, shefe e agjencisë së policisë së sigurisë, PST, të Norvegjisë.

Incidenti në Bremanger ishte një prej këtyre aktiviteteve, shtoi Gangaas.

“Qëllimi i këtij lloji operacioni është të ndikojë dhe të shkaktojë frikë e kaos te popullata e gjerë”, tha ajo. “Fqinji ynë rus është bërë më i rrezikshëm”.

Ambasada ruse në Oslo tha se deklaratat e Gangaas ishin “të pabaza dhe të motivuara politikisht”.

“Është e qartë se PST-ja po përpiqet, pa sukses, të mbështesë kërcënimin mitik të sabotimit rus ndaj infrastrukturës norvegjeze këtë vit, të cilin vetë e shpiku në raportin e saj [vjetor] të shkurtit,” thuhet në një deklaratë për Reuters nga Ambasada ruse.

Shtatorin e vitit të kaluar, inteligjenca britanike e akuzoi Rusinë se po zhvillon një “fushatë jashtëzakonisht të pamatur” sabotimi në Evropë, pjesërisht për të frikësuar vendet evropiane në mënyrë që të ndalin ndihmën për Ukrainën.

Moska i ka mohuar këto akuza.

Pas fjalimit të saj, Gangaas i tha Reutersit se foli publikisht për këtë gjë, me qëllim që të paralajmëroi popullatë dhe në përpjekje që të parandalojë Rusinë nga kryerja e sulmeve të reja.

“Dua që norvegjezët të jenë të përgatitur”, tha ajo.

Norvegjia, anëtare e NATO-s, ndan kufirin me Rusinë në Arktik. Ashtu si vendet e tjera nordike, ajo është një mbështetëse e fortë e Ukrainës.

Norvegjia është gjithashtu furnizuesja më e madhe e gazit në Evropë, i cili kryesisht transportohet përmes një rrjeti tubacionesh nën Detin e Veriut./REL

Shija e redaktorit

Librat e verës nga “Dukagjini”, zgjedhjet më të mira për...

Vera është koha ideale për aventura, por jo të gjitha ndodhin jashtë. Disa nga udhëtimet më të paharrueshme ndodhin brenda faqeve të një libri....

Shtëpia botuese “Dukagjini” propozon 9 libra që mund t’ju shoqërojnë...

Vera nuk është vetëm koha e pushimeve, por edhe e rikthimit te vetja. Në këtë periudhë kur ditët janë më të gjata e ritmi...

Pas raportimit të Dukagjinit, 3 donatorë i dalin në ndihmë...

Gjendjes së rënduar të familjes Krasniqi në Llukar e për të cilën raportoi ditë më parë Dukagjini, i kanë dal në ndihmë disa qytetarë...

Të fundit nga rubrika