Procesi i numërimit të votave është ndërprerë në orën 12:00, ndërsa do të vazhdojë më 1 janar, të enjten, nga ora 16:00.
Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror janë procesuar mbi 78% të votave, nga 2557 vendvotime, janë numëruar 1991 sosh.
Numërimi i votave në 27 komuna deri më tani e ka sjellë këtë rezultat:
Lëvizja Vetëvendosje i ka gati 332 mijë vota, 48.48%, PDK, 21.60%, gati 148 mijë vota, LDK me mbi 87 mijë vota i afrohet 13%, AAK me mbi 38 mijë vota qëndron tek 5.61%, NISMA, ashtu sikurse me rezultatet preliminare, as pas konfirmimit të 78% të votave nuk e kalon pragun, mbetet me gati 12 mijë vota, 1.69%.
Krahas komuniteteve tjera, tek serbët konfirmohen 9 deputetë për Listën Serbe me mbi 40 mijë vota, krahas një deputeti që ka siguruar partia e Nenad Rashiqit.
Nga komunitetet, jashtë Kuvendit pas një kohe të gjatë ka mbetur edhe përfaqësuesja boshnjake, Duda Balje.
Të martën nga ora 16:00 vazhdon numërimi i votave në 11 komuna: në Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj, dhe Suharekë.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, shërbimi votues i KQZ-së ka vazhduar me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.
Përpos këto informacione, KQZ kanë pranuar një pjesë të pakove me vota, nga totali i 58 mijë votuesve sa janë regjistruar për të votuar me postë nga diaspora.
Numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës do të fillojë gjatë kësaj jave, në një datë që pritet të caktohet në vazhdim.
Gjatë javës pritet të numërohen edhe mbi 9900 vota me kusht, votat e rreth 2860 votuesve të regjistruar me nevoja të veçanta, si dhe mbi 16 mijë vota të grumbulluara nga vendvotimet në konsullata dhe ambasada në shtete të ndryshme të botës.