Oda e Avokatëve paralajmëron për pajisje të dyshimta incizimi në dhomat e intervistimit të Policisë

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), ka njoftuar se avokatët kanë vërejtur praninë e pajisjeve që ngjasojnë me kamera artizanale në disa dhoma të intervistimit dhe hapësira ku zhvillohen konsultat konfidenciale.

Sipas OAK, kryetari Besnik Berisha dhe nënkryetari Naim Rudari kanë vërejtur këto pajisje gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Përveç shqetësimit mbi standardet e konfidencialitetit, OAK ka kërkuar sqarim nga Policia e Kosovës.

Policia ka njoftuar se pajisjet janë instaluar rreth tre vite më parë si pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video në dhomat e intervistimit.

“Nuk janë pajisje të fshehta dhe nuk kanë qenë funksionalë; Nuk kanë gjeneruar asnjë incizim; Janë vendosur në kuadër të një projekti të koordinuar me institucionet kompetente”, thuhet nga Policia.

Megjithatë, OAK thekson se prania e këtyre pajisjeve, pa shenja identifikuese dhe pa njoftim paraprak, krijon pasiguri të justifikuar dhe bie ndesh me standardet e konfidencialitetit.

Oda u bën thirrje avokatëve të jenë vigjilentë dhe të shmangin zhvillimin e konsultave konfidenciale në hapësira ku dyshohet për rrezik teknologjik apo cenim të privatësisë.

Të fundit nga rubrika