Oda Ekonomike e Kosovës (OEK)ka njoftuar edhe për një aktgjykim të dytë brenda dy ditësh, i cili anulon njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë.
Dje u njoftua që Gjykata Komerciale të Kosovës ka pezulluar ekzekutimin e një njoftimi të ZRRE-së, që ndalonte një kompani të caktuar të furnizohej përmes shërbimit universal.
Pas aktgjykimit të dytë, OEK tha se ky zhvillim “tregon qartë se bizneset kanë pasur të drejtë kur kanë ngritur zërin ndaj padrejtësive të ZRRE-së”.
Në fund, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të ndalojë së zbatuari këtë vendim që, sipas tyre, rrezikon të shkaktojë pasoja të mëdha.
“U bëjmë thirrje ZRrE-së që ta pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë, përpara se të krijohen pasoja edhe më të mëdha për biznesin, ekonominë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.”
Ndersa, dje Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një padi kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke kërkuar anulimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Sipas PDK-së, ky vendim i ZRRE-së është marrë pa ndjekur një proces ligjor të drejtë dhe gjithëpërfshirës, dhe tashmë po shkakton pasoja të rënda për mbi 1,300 biznese vendore dhe 140,000 punëtorë, duke rritur çmimet, inflacionin dhe duke rrezikuar falimentimin e shumë ndërmarrjeve.