Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka kërkuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian që të heqë masat kufizuese të vendosura ndaj Kosovës, duke theksuar se ato po dëmtojnë seriozisht zhvillimin ekonomik të vendit dhe po e pengojnë qasjen në instrumentet kryesore të BE-së për investime dhe rritje.
Këtë kërkesë e ka adresuar kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6CIF).
Në një letër zyrtare dërguar Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, Rafuna ka shprehur “shqetësim të thellë” për vazhdimin e këtyre masave që, sipas tij, po i izolojnë institucionet dhe bizneset kosovare nga mundësitë esenciale të zhvillimit rajonal.
Rafuna ka theksuar se, si pasojë e masave kufizuese, janë pezulluar mbi 600 milionë euro projekte të rëndësishme për Kosovën, përfshirë investime në mbrojtjen e mjedisit, energji, dixhitalizim dhe infrastrukturë lokale.
“Prishtinë, 12 dhjetor 2025 – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna, në cilësinë e tij edhe si Kryetar i Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6CIF), i ka dërguar një letër Znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Çështjet e Jashtme, duke shprehur shqetësimin e thellë për masat kufizuese që vazhdojnë të aplikohen ndaj Kosovës.
Në letrën e tij, Kryetari Rafuna thekson se këto masa pengojnë qasjen e institucioneve dhe bizneseve kosovare në instrumentet e BE-së për zhvillim ekonomik, duke pezulluar mbi 600 milionë euro projekte në fushat e mbrojtjes së mjedisit, energjisë, dixhitalizimit dhe infrastrukturës lokale.
Oda Ekonomike e Kosovës kërkon heqjen e këtyre masave për të mundësuar qasje të barabartë në instrumentet rajonale dhe për të garantuar që sektori privat i Kosovës të kontribuojë në të ardhmen evropiane të përbashkët.
OEK dhe WB6CIF mbeten të gatshme për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e BE-së dhe partnerët rajonalë për të avancuar një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, të integruar dhe perspektivëdhënës”, ka njoftuar OEK.