Më shumë se 6,000 persona u vranë brenda vetëm tre ditësh kur Forcat Paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë të Sudanit (RSF) morën kontrollin e qytetit el-Fasher vitin e kaluar, sipas viktimave dhe dëshmitarëve të cituar në një raport të OKB-së.
“Ishte si një skenë nga një film horror,” tha një person, që pa trupat e hedhur në ajër ndërsa luftëtarët e RSF hapën zjarr ndaj 1,000 njerëzve që kërkonin strehim në një ndërtesë universitare në tetor të kaluar, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Raporti përmend dëshmi për vrasje masive, ekzekutime pa gjyq, tortura, rrëmbime dhe dhunë seksuale ndaj civilëve. Këto përbëjnë krime lufte dhe mund të konsiderohen krime kundër njerëzimit.
RSF nuk ka komentuar raportin, por ka mohuar akuzat e ngjashme të mëparshme.
Sudani mbetet i bllokuar në një luftë për pushtet që zgjat pothuajse tre vjet mes ushtrisë së rregullt dhe forcave paramilitare të RSF. Lufta civile në vazhdim ka vrarë qindra mijëra njerëz dhe ka detyruar më shumë se 13 milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Dhuna seksuale e përhapur ndaj burrave, grave dhe fëmijëve po përdoret si armë lufte.
Si RSF ashtu edhe Forcat e Armatosura të Sudanit janë akuzuar për mizori.
Shtetet e Bashkuara dhe organizata Human Rights Watch besojnë se RSF dhe aleatët e saj kanë kryer genocid në rajonin perëndimor të Darfurit ndaj popullsisë Massalit dhe komuniteteve të tjera jo-arabe, por raportet e fundit të OKB-së nuk e kanë quajtur zyrtarisht këtë genocid.
El-Fasher, një qytet kyç në Darfur, ka qenë nën një rrethim të vazhdueshëm për 18 muaj. Ky qytet është vendi ku kanë dalë disa nga historitë më të tmerrshme të këtij konflikti.
