OKB ndal shpërndarjen e ushqimeve në Rafah

Kombet e Bashkuara pezulluan shpërndarjen e ushqimeve në Rafah, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë

Foto: AFP

Kombet e Bashkuara pezulluan të martën shpërndarjen e ushqimeve në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë shkaktuar nga zgjerimi i operacionit ushtarak të Izraelit. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se operacionet humanitare në të gjithë territorin ishin drejt kolapsit.

Një zyrtar i lartë i Shteteve të Bashkuara tha se Izraeli u është përgjigjur shumë prej shqetësimeve të administratës së presidentit Joe Biden, lidhur me planet për një ndërhyrje tokësore në Rafah që synon çrrënjosjen e luftëtarëve të Hamasit atje.

Presidenti Biden kishte kundërshtuar një sulm të përgjithshëm ushtarak në qytetin e mbushur me civilët e zhvendosur nga pjesët e tjera të Gazës, nëse nuk i jepej përparësi sigurisë së palestinezëve të pafajshëm.

Zyrtari amerikan foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të komentonte publikisht. Zyrtari tha se administrata nuk i dha dritën e gjelbër planit për ndërhyrje, por tha se ndryshimet që bënë zyrtarët izraelitë lënë të kuptohet se ata po i marrin seriozisht shqetësimet e administratës amerikane.

Gjatë dy javëve të fundit, qindra mijëra njerëz janë larguar nga Rafah në mënyrë kaotike, duke kërkuar strehim në kampe të reja ose duke u mbledhur në zonat tashmë të shkatërruara nga ofensivat e mëparshme izraelite.

Rreth 400,000 njerëz besohet se janë ende në Rafah pasi rreth 900,000 të tjerë u larguan me nxitim, sipas COGAT-it, zyra ushtarake izraelite përgjegjëse për çështjet civile palestineze.

Marrja e ndihmave për civilët e zhvendosur është penguar nga pikë-kalimet e mbyllura, si dhe nga problemet me platformën e re lundruese të ushtrisë amerikane, që synonte të ofronte një rrugë alternative detare për të futur ndihmat në Gaza.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder u tha gazetarëve në Uashington se ditët e fundit, dërgimi i ndihmave nga platforma ishte ndalur, por se rifilloi të martën.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se po i mbaronin furnizimet për Gazën qendrore, ku tani jetojnë qindra mijëra njerëz. /VoA

Shija e redaktorit

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Të fundit nga rubrika