Operatori kryesor i telefonisë mobile i Ukrainës goditet nga një sulm masiv kibernetik

Shërbimet e operatorit më të madh të telefonisë mobile në Ukrainë janë ndërprerë, si pasojë e një sulmi të madh kibernetik

Njerëzit ecin pranë një dyqani të Kivstarit, kompanisë së telekomunikimeve të Ukrainës, në Kiev, 12 dhjetor 2023. Foto: AFP

Shërbimet e operatorit më të madh të telefonisë mobile në Ukrainë, Kivstar, janë ndërprerë, si pasojë e një sulmi të madh kibernetik më 12 dhjetor.

Sulmi i hakerëve shkaktoi pengesa të mëdha në komunikim në gjithë vendin dhe i la miliona njerëz pa shërbime telefonike dhe të internetit mobil në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Mëngjesin e sotëm ishim cak i një sulmi të fuqishëm të hakerëve. Sulmi shkaktoi prishje teknike të cilat e bënë të pamundur komunikimin përmes telefonisë mobile dhe qasjen në internet”, tha Kivstar në një komunikatë për media.

Shefi ekzekutiv i Kivstar, Oleksandr Komarov, tha për televizionin ukrainas se u nevojit fikja e rrjetit në mënyrë që, siç tha ai, të parandalohej “qasja e armikut” në të.

Raportohet se si pasojë e sulmit kibernetik më shumë se 24 milionë përdorues mbetën pa shërbime interneti dhe telefoni.

“[Sulmi] e dëmtoi shumë infrastrukturën e [IT] dhe e kufizoi qasjen. Ne nuk ishim në gjendje ta luftonim atë në nivel virtual, prandaj e fikëm Kivstarin fizikisht në mënyrë që t’ia kufizonim qasjen armikut”, tha Komarov.

Agjencitë për sundimin e ligjit, përfshirë Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, janë duke u marrë me incidentin, tha Komarov, duke shtuar: “Kjo është luftë, jo vetëm në fushëbetejë, por edhe në hapësirat virtuale dhe, fatkeqësisht, ne jemi duke u sulmuar në këtë luftë”.

Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka nisur një hetim ndaj sulmit kibernetik, duke thënë se po i heton “ndërhyrjet e pasanksionuara në aktivitetet e rrjeteve sociale, krijimin e një malware [një softueri qëllimkeq], cenimin e integritetit territorial të Ukrainës, tradhtinë e lartë, sabotimin, kryerjen e një lufte agresive, shkeljen e ligjit të luftës dhe pjesëmarrjen në aktivitete e një grupi kriminal”.

Raportohet se Rusia ka tentuar vazhdimisht t’i përdorë sulmet kibernetike kundër Ukrainës prej se e nisi pushtimin e paprovokuar të saj në shkurt të vitit 2022. /REL

Shija e redaktorit

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Raportimet për reduktim të trupave të KFOR-it: NATO dhe Pentagoni...

Katër diplomatë të NATO-s kanë “alarmuar” Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovën këtë të enjte pas deklarimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)...

Të fundit nga rubrika