Kritika të ashpra ka pasur opozita për Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, e cila është paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për ta votuar në Kuvend.
Drafin e kësaj strategjie, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, e ka quajtur “draft mashtrues”.
“Ky draft ka karakter mashtrues në raport me votuesit tuaj, të cilëve për dy fushata rresht u keni premtuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak”, ka thënë Berisha.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka kërkuar nga kryeministri Kurti tërheqjen e dokumentit në fjalë. Sipas tij, strategjia e sigurisë e paraqitur në Kuvend është bosh.
“Unë e kam një lutje, një kërkesë, që ky dokument të hiqet, kryeministri dhe Këshilli i Sigurisë i Kosovës të sigurojë ekspertizë të lartë, të ketë në konsideratë zhvillimet globale, me theks të veçantë situatën në Ukrainë”, ka deklaruar Anton Quni.
Kritika për dokumentin e strategjisë kombëtare të sigurisë ka pasur edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili e kritikoi edhe kryeministrin Kurti, për mënyrën se si e ka paraqitur.
“Kryeministri nuk e prezantoi përmbajtjen e strategjisë, ai na tregoi për veprimet që i ka marrë në mbështetje të FSK-së. Përderisa strategjia e trajton një afat kohor pesëvjeçar”, ka thënë ai.
Tahiri tha se në dokumentin e prezantuar nuk përmendet askund qëllimi i Kosovës për ta anëtarësuar FSK-në në NATO.
“Prej presidentes e kryeministrit, dhe partive opozitare thonë, qëllimi jonë është anëtarësimi i FSK-së përmes partneritetit për paqe në NATO. Nuk e ke asnjë fjali të vetme për synimin strategjik të Kosovës, anëtarësimin në këtë mekanizëm. Askund nuk është fjala e objektivit për anëtarësim në NATO”, ka thënë ai.
Atij iu kundërpërgjigj deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, dhe se NATO përmendet në dokument. Dugolli e kritikoi kolegun e tij nga AAK, duke i thënë se nuk e ka lexuar tekstin.
Pas fjalës së Dugollit, ndërhyri Konjufca, duke u kërkuar deputetëve të Kuvendit të mos polemizojnë për temën e NATO-s, sepse sipas tij, të gjitha partitë në Kosovë janë të një qëndrimi sa i përket anëtarësimit në këtë organizatë, përveç Listës Serbe.