Pas reagimeve të shumta dhe kritikave për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave të luftës në Kosovë, organizatat përgjegjëse për ekspozitën e shfaqur në sheshet e Prishtinës, Admovere dhe Integra, kanë kërkuar falje publike.
Përmes një postimi në Facebook, ato kanë theksuar se qëllimi i vetëm i ekspozitës ka qenë nderimi i viktimave civile të luftës dhe ruajtja e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë, njofton Dukagjini.
“Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar. Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd” thuhet në reagimin e tyre.
Organizatat kanë bërë gjithashtu thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, duke kërkuar që situata të mos keqpërdoret dhe diskutimi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të respektueshme.
“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos në sheshin kryesor të Prishtinës, ka nxitur reagime të shumta publike, politike dhe institucionale, duke u shndërruar në një nga debatet më të mëdha të ditëve të fundit në vend.
Menjëherë pas hapjes, u ngritën dyshime për pasaktësi në të dhënat e paraqitura, veçanërisht lidhur me viktimat e disa masakrave.
Ky veprim erdhi një ditë pasi Komuna e Prishtinës pezulloi lejen për ekspozitën, si pasojë e reagimeve të shumta publike lidhur me pasaktësitë e identifikuara.
Ndërkohë, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale, ka njoftuar se rasti do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.