Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjatë takimit u diskutuan vizita e fundit e Prattipatit në SHBA, takimet me zyrtarë të lartë amerikanë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështje me interes të përbashkët.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, dhe rikonfirmoi përkushtimin e vendit për paqe dhe stabilitet në rajon.
Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, duke përfshirë sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen, si dhe rolin kyç të pranisë ushtarake amerikane dhe të NATO-s për stabilitetin.
Presidentja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut strategjik bilateral dhe përmbylljes së proceseve kushtetuese, duke vënë në pah përmirësimet e dukshme në siguri dhe sundimin e ligjit, sidomos në veri të vendit.