Pas mesditës, gjatë një vizite në Suharekë, kryeministri në detyrë Albin Kurti u pyet se kur do t’ia propozojë mandatarin për kryeministër presidentes Vjosa Osmani. Por Kurti e anashkaloi këtë çështje.
“Ato janë gjëra të Prishtinës, atje i diskutojmë ato. Këtu jemi për investimin 11 milionë euro për stadiumin e futbollit në Suharekë”.
A është Kuvendi i konstituuar sipas juristëve? Disa thonë po, disa jo
Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i Kuvendit, Dimal Basha vlerësojnë se Kuvendi tashmë është funksional dhe rrugët për formimin e qeverisë janë hapur.
Por ndryshe mendojnë për momentin presidentja Osmani, partitë tjera ish-opozitare, një pjesë e madhe e shoqërisë civile, si dhe juristë që e shohin procesin ende të papërfunduar.
Osmani ka thënë se çdo vendim i saj do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe stabilitetin institucional.
Këtë e theksuar gjatë dy takime të ndara me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, dhe me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jorn Rohde.