Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se amandamentet kushtetuese për të cilat është diskutuar nuk do të kishin asnjë ndikim në zgjedhjen e presidentit që duhej të ndodhte deri mbrëmjen e kaluar.
Osmani theksoi se edhe nëse këto amandamente do të miratoheshin, ato nuk do të ndryshonin procesin për zgjedhjen e pasardhësit të saj.
“Dua të jem shumë e qartë, këto amandamente nuk do kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do duhej të zgjidhej deri mbrëmë. Pra për pasardhësin tim…edhe sikur këto amandamente të miratoheshin mbrëmë, nuk do ndryshonin asnjë për zgjedhjen e pasardhësit tim. Tek pas 5 vitesh do krijohej mundësia. S’ka pas fare të bëjë me mundësinë që unë të kandidoj në zgjedhjet e reja. Këto amandamente nuk janë hartuar nga unë por nga komisioni në vitin 2011. Çdo ndryshim do nënkuptonte që amandantet të shkonin në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Osmani.
Osmani, u shpreh se në mesnatë është përmbyllur përfundimisht çdo mundësi për zgjedhjen e presidentit të ri nga Kuvendi.
Ajo tha se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është vetëm një formalitet pas një fakti të kryer.
“Arsyeja pse jemi këtu nuk është dekreti im sepse është formalitet pas një fakti të mirëqenë. Në mesnatë është përmbyllur përfundimisht çdo mundësi për zgjedhjen e presidentit…edhe nëse procesi do vazhdonte tutje, procesi kushtetues do të vazhdonte. Pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve…jam plotësisht e gatshme dhe e vetëdijshme që ky dekret mund të kundërshtohet (refuzohet) nga Gjykata Kushtetuese. Kurrë nuk kam qenë më krenare sesa për këtë veprim”, u shpreh Osmani.
Tutje, Osmani deklaroi se gjatë ditës do të ftojë partitë politike për konsultime lidhur me datën e zgjedhjeve.
Ajo tha se rasti i dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet pengesë për shpërndarjen e Kuvendit, përderisa gjykata nuk ka marrë vendim për masë pezulluese.
“Rasti i dërguar në Kushtetuese nga LVV nuk paraqet pengesë për shpërndarjen e Kuvendit përderisa Gjykata nuk ka vendosur një masë pezulluese. Jam e detyruar ta shpërndaj Kuvendin sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta qojnë vendin në zgjedhje. I bëj thirrje Kushtetueses që ta trajtoj çdo çështje rreth kësaj teme me urgjencë duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Kosovës. Menjëherë sot do ftohen partitë politike për konsultime për datën e zgjedhjeve”, u shpreh Osmani.
