Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në të gjitha komunat e vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.
Gjatë takimit, presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, duke e cilësuar atë si themel të demokracisë dhe të besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës.
Ajo ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjet e drejtpërdrejta të Serbisë në zgjedhjet lokale, të cilat sipas saj po manifestohen përmes blerjes së votës, frikësimit dhe dhunës ndaj qytetarëve serbë në Kosovë.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja ka dënuar ashpër veprimet e Beogradit zyrtar dhe u ka bërë thirrje institucioneve vendore, subjekteve politike dhe partnerëve ndërkombëtarë që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës.