Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz në kuadër të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Osmani thotë se në Prekaz çdo hap është histori dhe çdo gur është sakrificë, teksa thekson se aty u përkulën me nderim para altarit të lirisë, para komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, njofton Dukagjini.
Osmani, mes tjerash, thotë se sakrifica e familjes Jashari do të mbetet udhërrëfyes për çdo hap drejt forcimit të shtetit dhe ndërtimit të së ardhmes së vendit.
Presidentja ka shprehur gjithashtu mirënjohje për pritjen nga Rifat Jashari, të cilin e ka cilësuar si simbol të qëndresës dhe dinjitetit të familjes legjendare.
“Nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet. Ky amanet do të jetojë përjetë në zemrat e shqiptarëve”, ka shkruar Osmani.