Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të martë nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit.
Lexo dhe: Osmani nuk e dekreton për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufajn
Lidhur me këtë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur një takim të mbyllur dhe përmes një komunikate për media, ka shprehur mospajtim të thellë ndaj deklaratave të saj, të cilat sipas tyre janë të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor.
“KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në komunikatën për media.
Këshilli Prokurorial ka vlerësuar se deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Në këtë komunikatë thuhet se lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, dhe kanë ftuar presidenten që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente.
“Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Më tej në komunikatë thuhet se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të presidentes Osmani për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.