Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë.
Ajo i ka cilësuar këto thirrje si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë që duhet ta karakterizojë çdo shoqëri demokratike me synime evropiane.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, theksoi Osmani.
Presidentja u shpreh edhe më e shqetësuar nga heshtja e institucioneve të Maqedonisë së Veriut ndaj kësaj gjuhe përjashtuese.
“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, u shpreh ajo.
Ajo kujtoi se sporti duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo si platformë për ideologji që ngjallin urrejtje dhe rrezikojnë paqen.
Presidentja Osmani u bëri thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut të marrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve dhe nxitësve të këtyre thirrjeve, duke kërkuar që të dënohet çdo formë e gjuhës së urrejtjes dhe të mbrohen vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani.
“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, ka shtuar ajo.