Osmani: Shpërndarja e Kuvendit u bë pasi përfaqësuesit e popullit vendosën për zgjedhje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se shpërndarja e Kuvendit përmes dekretit ishte një detyrim kushtetues, pasi sipas saj përfaqësuesit e popullit vendosën që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Osmani bëri të ditur se është e gatshme të përballet me çdo iniciativë që mund ta dërgojë këtë çështje në Gjykata Kushtetuese e Kosovës teksa tha se mosnxjerrja e dekretit do ta vendoste atë në shkelje të Kushtetutës së Kosovës, gjë që, sipas saj, nuk kishte ndërmend ta bënte, njofton Dukagjini.

“Arsyeja pse jam detyruar të shpërndaj Kuvendin është sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që të trajtojë çdo çështje që mund të paraqitet edhe në të ardhmen, me urgjencë duke ditur sesa të rëndësishme janë qartësitë kushtetuese, duke mos lejuar assesi që qëllimet për zvarritje të dominojnë mbi interesin e Kosovës, dhe në asnjë moment të mos lejojnë asnjë presion i cili do të mund të ndryshonte interpretimin e vetëm e vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, deklaroi Osmani.

Osmani, mes tjerash, i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që çdo çështje që lidhet me këtë situatë ta trajtojë me prioritet, duke theksuar rëndësinë e qartësisë kushtetuese. Ajo kërkoi gjithashtu që proceset të mos zvarriten dhe që të mos ketë asnjë lloj presioni që mund të ndikojë në interpretimin e Kushtetutës.

Sipas Osmanit, si presidente ajo nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në punën e institucioneve të pavarura, por do t’i mbrojë ato nga çdo tentativë për ndikim në vendimet e tyre.

Ajo shtoi se nëse dikush vendos ta kontestojë dekretin në Gjykatën Kushtetuese, do ta mbrojë atë vendim, pasi sipas saj bëhet fjalë për një akt që rrjedh nga obligimet kushtetuese të presidentit.

“Si presidente e Kosovës asnjë moment as nuk kam ndërhyrë, as nuk do të ndërhyj dhe do ta mbroj çdo institucion të pavarur nga ndërhyrjet që mund të tentohet për të ndryshuar një vendim që interpreton Kushtetutën. Edhe nëse dikush e dërgon këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese unë do të përballem qartë në mbrojtje të këtij akti, në mbrojtje të këtij dekreti i cili është detyrim. Mos nxjerrja e këtij dekreti mua do më vendoste në shkelje të qartë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Dhe këtë nuk e kam ndërmend ta bëj”, tha ajo.

Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës

Të fundit nga rubrika