Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 11 personave në Bosnjë e Hercegovinë, pas një zjarri tragjik që shpërtheu në një shtëpi kujdesi në Tuzla.
Osmani tha se populli i Kosovës ndan dhimbjen e familjeve dhe shpreson që të plagosurit të shërohen shpejt e plotësisht.
“Populli i Kosovës është i pikëlluar nga zjarri tragjik në një shtëpi kujdesi në Tuzla, i cili ka marrë jetë të çmuara dhe ka lënë familjet në pikëllim të thellë. Në emër të popullit të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të të ndjerëve dhe popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kujtimi i të humburve u sjelltë ngushëllim të dashurve të tyre dhe uroj që të plagosurit të shërohen shpejt dhe plotësisht. Republika e Kosovës është me ju!”, ka shkruar Osmani në X.