Osmani: S’ka arsye që të takohem me Vuçiqin para se ai të sanksionohet

“Nuk ka arsye të takohemi para se sanksionet të vendosen për presidentin Vuçiq. Sanksionet fillimisht, e më pas mund të flasim për të tjerat”, tha presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka arsye për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para se të vendosen sanksionet.

Ajo ka theksuar se fillimisht duhet që Serbia të sanksionohet për sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, e më pas mund të zhvillojnë takim.

“Nuk ka arsye të takohemi para se sanksionet të vendosen për presidentin Vuçiq. Sanksionet fillimisht, e më pas mund të flasim për të tjerat”, tha ajo.

Kështu është përgjigjur ajo teksa është pyetur se a do të zhvillojë takim me presidentin serb në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian.

“Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e aleatëve dhe të partnerëve evropianë për të sanksionuar Serbinë, në mënyrë që ata të mos inkurajohen të kryejnë akte të tilla agresioni ndaj Kosovës dhe ndaj fqinjëve të tjerë përsëri dhe përsëri”, ka thënë ajo.

Ndonëse thotë se nuk ka të konfirmuar takime të veçanta me liderë, megjithatë shpreson që për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të flasë në samitin e hapur për të gjithë ata.

“Nuk kemi takime të ndara të konfirmuara, por jam e sigurt se do ta kem mundësinë, sepse shumica e diskutimeve në këtë samit do të bëhen derisa jemi të gjithë në sallë, prandaj shpresoj se do ta kem mundësinë të diskutojmë për këto”, ka shtuar ajo.

Presidentja Osmani është shprehur optimiste edhe për qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe dënimin e veprimeve të Serbisë.

“Spanja është shtet që po kontribuon në paqe dhe stabilitet në tërë kontinentin, shpresoj se do ta kuptojnë se mbështetja e një agresori për të cilët ka prova të qarta nga 24 shtatori, nuk do të ndihmojë paqen dhe stabilitetin. Shpresoj se Spanja do ta ndjekë linjën e shteteve të tjera që të marrin masa kundër Serbisë për këtë akt që ka kryer, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe kundër paqes dhe sigurisë së tërë Evropës”.

Rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe të tensioneve në kontinent.

Takimi i tretë i tillë organizohet për t’iu dhënë shteteve mundësi për ta zgjeruar dialogun përtej kufijve të bllokut evropian me 27 anëtarë.

Ky organizim mëton të rrisë mundësitë për liderët që të takohen në grupe më të vogla për takime joformale, pa simbolikën dhe protokollet e vizitave shtetërore.

Shija e redaktorit

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Të fundit nga rubrika