Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të mbajë një konferencë për media mëngjesin e së premtes.
Sipas njoftimit nga Presidenca, ajo do t’u drejtohet mediave duke filluar nga ora 08:00.
Kjo konferencë vjen pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, ku të enjten në mbrëmje u mbajt një seancë e jashtëzakonshme vetëm pak orë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Procesi u ndërpre pasi nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm për vazhdimin e votimit.
Sipas procedurave, për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë nevojiten të paktën 61 vota.
Në sallën e Kuvendit të enjten ishin të pranishëm 66 deputetë nga koalicioni qeverisës, ndërsa deputetët e opozitës nuk morën pjesë në seancë.
Mungesa e kuorumit kishte bërë që të dështojë edhe një seancë e mëhershme, e cila ishte thirrur për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Osmani, që synojnë zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët.
Pas përfundimit të seancës së dytë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës me kërkesë për pezullimin e afateve kushtetuese që lidhen me procesin e zgjedhjes së presidentit.