Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Komunitetit Ashkali, duke vlerësuar kontributin dhe trashëgiminë e këtij komuniteti në shoqërinë kosovare.
Në postimin e Presidencës thuhet se Osmani vlerëson se komuniteti ashkali zë një vend të veçantë në mozaikun e identitetit shtetëror, falë traditave, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë së pasur që, sipas saj, e kanë bërë vendin më të larmishëm, njofton Dukagjini.
Osmani nënvizoi se trashëgimia kulturore e ashkalinjve është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës.
“Në mozaikun e identitetit të Republikës së Kosovës, komuniteti ashkali zë një vend të veçantë, me traditat, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë e tij të pasur që e kanë bërë vendin tonë më të larmishëm. Trashëgimia kulturore e ashkalinjve është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës. Në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për një Kosovë ku çdo komunitet ndihet i barabartë dhe i respektuar. Forca e Kosovës qëndron pikërisht në shumëllojshmërinë e saj, në ndërthurjen e traditave, në respektin reciprok dhe të ardhmen e përbashkët me dinjitet për të gjithë”, thuhet në njoftim.
