Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka njoftuar se nga sot ka nisur një peticion kombëtar drejtuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Sipas njoftimit, peticioni paraqitet si një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të UÇK-së dhe të ish-krerëve të saj, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
OVL thekson se iniciativa synon mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe të dinjitetit të saj.
“Kategoritë e dala nga Lufta e UÇK-së njoftojnë opinionin publik se nga sot ka nisur Peticioni Kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ky peticion është një thirrje e hapur qytetare në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të dinjitetit të saj.
Ftojmë të gjithë qytetarët dhe bashkëkombësit kudo që ndodhen që t’i bashkohen këtij peticioni, ta nënshkruajnë dhe ta shpërndajnë atë”, thuhet në njoftim.
