Pakistani ka ndërmarrë disa sulme ajrore gjatë natës në territorin e Afganistani, ndërsa talebanët kanë deklaruar se si pasojë janë vrarë dhe plagosur dhjetëra persona, përfshirë gra dhe fëmijë.
Islamabadi zyrtar njoftoi se sulmet kishin në shënjestër shtatë kampe dhe strehimore të dyshuara militante pranë kufirit Pakistani-Afganistan dhe se ato u ndërmorën pas disa sulmeve vetëvrasëse të fundit në Pakistan, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Nga ana tjetër, autoritetet afgane i dënuan sulmet, duke thënë se ato goditën disa shtëpi civile dhe një shkollë fetare.
Sulmet e fundit vijnë pas një armëpushimi të brishtë të arritur mes dy vendeve në tetor, pas përleshjeve vdekjeprurëse ndërkufitare. Megjithatë, përplasjet sporadike kanë vazhduar edhe pas marrëveshjes.
Ministria e Mbrojtjes e talebanëve tha se sulmet kishin në shënjestër zona civile në provincat Nangarhar dhe Paktika. Zyrtarë në Nangarhar deklaruan se shtëpia e një burri të quajtur Shahabuddin ishte goditur nga një prej sulmeve, duke lënë të vrarë rreth 20 anëtarë të familjes së tij, përfshirë gra dhe fëmijë.
Ministria e Informimit dhe Transmetimit e Pakistanit tha se kishte kryer “goditje selektive të bazuara në inteligjencë” kundër shtatë kampeve terroriste.
Në një deklaratë, autoritetet pakistaneze thanë se objektivat përfshinin anëtarë të organizatës së ndaluar Tehreek-i-Taliban Pakistan, të cilën qeveria e quan “Fitna al Khawarij”, si dhe bashkëpunëtorë të tyre dhe degën rajonale të Shtetit Islamik, Islamic State – Khorasan Province.
Islamabadi e cilësoi operacionin si “përgjigje hakmarrëse” ndaj sulmeve të fundit vetëvrasëse në Pakistan, për të cilat pretendon se janë kryer nga grupe të strehuara në Kabul.
Ndër sulmet e fundit në Pakistan përfshihet edhe një sulm ndaj një xhamie shiite në kryeqytetin Islamabadi, si dhe sulme të tjera që ndodhën pas nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa.
Pakistani akuzoi talebanët afganë se nuk kanë vepruar kundër militantëve dhe tha se posedon “prova bindëse” se sulmet janë kryer me udhëzime nga udhëheqësit e tyre në Afganistan.
Ministria e Mbrojtjes e talebanëve reagoi duke i quajtur sulmet “shkelje flagrante të integritetit territorial të Afganistanit” dhe “shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”. Ajo paralajmëroi se “një përgjigje e përshtatshme dhe e matur do të jepet në kohën e duhur”, duke shtuar se sulmet ndaj objektivave civile dhe institucioneve fetare tregojnë dështim të ushtrisë pakistaneze në inteligjencë dhe siguri.
Sulmet vijnë vetëm disa ditë pasi Arabia Saudite ndërmjetësoi lirimin e tre ushtarëve pakistanezë, të cilët ishin kapur në Kabul gjatë përleshjeve kufitare në tetor të vitit të kaluar.
Përplasjet e asaj kohe përfunduan me një armëpushim të përkohshëm, pas luftimeve më të ashpra që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në vitin 2021.
Pakistani dhe Afganistani ndajnë një kufi malor prej rreth 2 574 kilometrash.