Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Muhammad Asif, tha të shtunën se besonte që Afganistani dëshiron paqe, por nëse bisedimet në Stamboll dështojnë për të arritur një marrëveshje, kjo do të thotë “luftë e hapur” mes dy vendeve.
Deklarata e tij vjen disa ditë pasi të dyja palët ranë dakord për një armëpushim pas përleshjeve të përgjakshme në kufi, që kanë qenë më të rëndat që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në Kabul në vitin 2021.
Bisedimet në Stamboll, të cilat filluan të shtunën dhe pritet të vazhdojnë deri të dielën, shënojnë përpjekjen e fundit të Pakistanit dhe Afganistanit për të parandaluar një rikthim të dhunës pas luftimeve kufitare që nga marrja e Kabulit nga talebanët.
Sipas raportimeve, bisedimet kanë për qëllim të hartojnë një mekanizëm për zbatimin afatgjatë të armëpushimit të Dohas.
Khawaja Muhammad Asif tha se nuk ka pasur incidente në pesë ditët që u arrit një marrëveshjes dhe se të dyja palët po e zbatojnë armëpushimin.
“Ne kemi mundësinë, nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje, kemi një luftë të hapur me ta,” theksoi ai.
Ndërkohë, përleshjet mes Pakistanit dhe Afganistanit nisën në fillim të këtij muaji, pasi Islamabadi kërkoi që talebanët të ndalojnë militantët që, sipas tij, po sulmojnë Pakistanin nga vendet brenda Afganistanit.
Në përgjigje, Pakistani kreu sulme ajrore përtej kufirit, ndërsa të dyja palët shkëmbyen zjarre artilerie, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona dhe u mbyllën disa pika të rëndësishme kufitare, të cilat vijojnë të jenë të bllokuara.
Islamabadi akuzon qeverinë talebane se strehon militantë që sulmojnë ushtrinë pakistaneze, ndërsa Kabuli i hedh poshtë akuzat, duke deklaruar se sulmet ajrore të Pakistanit shkelin sovranitetin e Afganistanit.